Lajme

Hapet Oda Ekonomike Gjermane

Listës së odave ekonomike në Kosovë i është shtuar edhe ajo gjermane. Tash e tutje bizneset gjermane do të kenë një adresë ku të drejtohen për hallet dhe interesin e tyre për tregun e Kosovës. Kjo Odë është themeluar nga 39 kompani kosovare, që vijnë nga sektorë të ndryshëm.

Artikulli i publikuar ne Koha Ditore:
http://www.koha.net/arkiva/?page=1,3,96229

 

Prishtinë, 19 prill - Listës së odave ekonomike në Kosovë i është shtuar edhe ajo gjermane. Tash e tutje bizneset gjermane do të kenë një adresë ku të drejtohen për hallet dhe interesin e tyre për tregun e Kosovës. Kjo Odë është themeluar nga 39 kompani kosovare, që vijnë nga sektorë të ndryshëm.

Ernst Reichel, ambasador i Republikës Federale të Gjermanisë në Prishtinë, ka thënë se themelimi i Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare është bërë me vonesë, por që themelimi i saj është një hap para në marrëdhëniet dypalëshe ekonomike. Ai ka thënë se tanimë në të gjitha vendet e rajonit ishin hapur institucione të tilla dhe ishte e pashmangshme hapja e saj edhe në Kosovë.

“Gjermania që nga viti 1999 është partneri më i rëndësishëm bilateral i Kosovës në bashkëpunimin zhvillimor. Gjermania zë vendin e dytë si investitori më i madh në Kosovë dhe është partneri i dytë më i madh në fushën e tregtisë”, ka thënë ambasadori gjerman.

Ai ka thënë se për t’i intensifikuar marrëdhëniet dypalëshe ekonomike ka ende punë për t’u bërë, sidomos në përmirësimin e ambientit për të bërë biznes në Kosovë. 

“Natyrisht, është detyrë e institucioneve që ta bëjnë Kosovën më atraktive për investuesit e huaj. Kosova qëndron ende mjaft poshtë në indeksin e Bankës Botërore për klimën e investimeve”, ka thënë ai.

Ai pret që Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare do ta plotësojë një boshllëk të rëndësishëm dhe të mbështesë përpjekjet e institucioneve kosovare në mënyrë efektive.

“Ndërmarrjet gjermane në Kosovë kanë nevojë për siguri në të gjitha aspektet. Ndërmarrjet pjesëmarrëse në tenderë kanë nevojë për transparencë dhe kushte të ndershme. Ndërmarrjet që duan të eksportojnë për në Kosovë kanë nevojë për partnerë të fortë lokalë. Ndërmarrjet që investojnë në Kosovë dhe që duan të krijojnë vende pune, kanë nevojë për përkrahje, kushte të qëndrueshme dhe liri nga korrupsioni dhe arbitrariteti”, ka thënë ai.

Ambasadori Reichel ka thënë se themelimi i kësaj ode ka ardhur pas propozimit që ka marrë pikërisht nga kompanitë kosovare që kanë bashkëpunim me kompani gjermane.

“Fillimisht falënderoj zotin Zhugolli nga firma ‘EcoTrade’, i cili në shtatorin e vitit të kaluar ka marrë iniciativën për një takim në Ambasadën Gjermane. Pa të, nuk do të ishim këtu, ku jemi sot. Pastaj falënderimi im u takon të gjithë atyre që kanë marrë pjesë në ekipin përgatitor”, ka thënë ambasadori i Gjermanisë.

Remzi Ejupi, kryetar i Bordit të Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare, ka thënë se kjo odë e re do të tentohet të mbahet larg politikës. Ai ka thënë se synohet rritja e bashkëpunimit ndërmjet bizneseve kosovare dhe gjermane dhe përmes tij të sjellin investime në Kosovë. Ai ka thënë se Oda do të shërbejë si urë lidhëse ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë.